Një nga problemet më të mëdha sot në Shqipëri është largimi i të rinjve jashtë vendit dhe kërkimi mundësive të punësimit në shtete të tjera.
Por në Tiranë gjen edhe të kundërtën, ka nga ata që kanë lënë shtete të zhvilluara për të punuar dhe jetuar në Shqipëri.
Një prej tyre është edhe Nathan Levinson një sipërmarrës i suksesshëm në Toronto, Kanada, por prej dy vitesh, Tirana është gjithashtu stacioni i tij i punës.
Nathan është 30 vjeç, por prej 10 vitesh drejton kompaninë Royal York Property Management, e cila ka në fokus menaxhimin e pronave në Kanada.
Nëse ti ke një pronë, mund ta regjistrosh atë në kompaninë e Nathanit dhe ai merr në dorë menaxhimin e saj, që nga qiradhënia dhe me gjithë shërbimet e mundshëm që ka nevojë ajo.
Për Levinson, Shqipëria ishte një vend i panjohur më parë.
Me përjashtim të disa shqiptarëve që kishte takuar në Toronto ku edhe jeton, ky vend nuk i kishte tërhequr vëmendjen më herët.
Ishte pandemia, në vitin 2020 që e bëri Nathanin të vijë në Shqipëri, si fillim për kuriozitet dhe me ardhjen këtu ai pa menjëherë mundësi për të hapur zyrën e tij të punës dhe të vazhdojë të punojë për Kanadanë, nga Shqipëria.
“Gjatë periudhës së pandemisë gjithçka u mbyll në Kanada, punëtorët ishin të detyruar të punonin nga shtëpia, por kjo nuk ishte shumë frytdhënëse për kompaninë, për më tepër një orë pune atje paguhet 25 dollarë, shumë shtrenjtë në krahasim me atë çka pashë në Shqipëri”, tregon Nathan për Dita.
“Në atë periudhë pashë që këtu ishim më të buta masat e Covidit dhe për këtë arsye vendosa të hap zyrën time në Tiranë duke punësuar djem dhe vajza të cilat më pas i trajnova për punën që do bëjnë dhe… shumë shpejt ata mësuan. Sot pas dy vitesh kemi 100 punonjës në zyrën e Tiranës dhe për këtë jam shumë i lumtur”, – shprehet Nathan.
Gjatë kësaj kohe ai ka vizatuar pjesën më të madhe të Shqipërisë dhe flet me superlativa për vendin tonë.
“Ju ndoshta nuk jeni të vetëdijshëm për vendin që keni. Këtu klima është fantastike, njerëzit janë miqësor, të ndihmojnë nëse ti ke nevojë. Ushqimi është një nga gjërat më të mira që kam provuar. Restorantet janë komode dhe të shumëllojshme. Jeta e natës është gjithashtu e gjallë. Të rinjtë në Shqipëri mësojnë shumë shpejt. Janë të zgjuar dhe tepër të shkathët. Personat që kam të punësuar nuk janë jurist, por me trajnimet që kanë bërë dinë të shpjegojnë shumë mirë ligjin mbi pronën në Kanada dhe kur flasin me kanadezët atyre u duket sikur po flasin me një specialist të mirëfilltë”, tregon 30-vjeçari i cili është i surprizuar për faktin që të rinjtë në Shqipëri arrijnë të përvetësojnë shumë shpejt një punë të caktuar, pavarësisht profesionit.
Ngelem e habitur përballë tij duke patur parasysh faktin që dëgjojmë shumë ankesa pikërisht për këtë vend, Shqipërinë, që po flet Nathan dhe për këta të rinj.
“Jashtë vendit ka më shumë vështirësi. Shqipëria është ende në zhvillim dhe këtu ka hapësirë për të bërë punë shumë të bukura. Në Kanada për shembull janë bërë të gjitha, nuk ka mbetur asgjë ta shpikësh ti, ndaj për këtë arsye Shqipëria është një terren i mirë për punë dhe duhet shfrytëzuar”- tregon ai, ndërsa u bën thirrje të rinjve të kontaktojnë kompaninë e tij për një mundësi shumë të mirë punësimi.
“Ne ndodhemi përballë Vesa Center, në kryeqytet. Për këdo që ka dëshirë t’i bashkohet skuadrës tonë është i mirëpritur”.
Më poshtë një intervistë shpjeguese mbi punën dhe atë çka ofron kompania e Nathan Levinson në Tiranë.
-Nathan, prej sa kohësh jeni në Shqipëri dhe cila ishte arsyeja që ju solli?
Në Shqipëri kam ardhur në vitin 2020. E mbaj mend mirë sepse ishte akoma e vështirë të ndërtoje një zyrë, duke marrë parasysh se masat e Covid nuk ishin lehtësuar akoma. Kam njohur shqiptarë dhe në Kanada, jeni shumë punëtorë, prandaj jam këtu.
-Si ka lindur kompania juaj?
Ideja ka lindur duke parë vështirësinë që kishte familja ime për të menaxhuar prona të cilat i kishin lëshuar me qira. E mendoja gjithmonë se sa më e lehtë do te ishte sikur një kompani të përfshinte dhe gjetjen e qiradhënësve, analizimin e tyre si dhe menaxhimin e pronës gjatë periudhës së kontratës së qirasë.
-Cila është kompania juaj dhe çfarë shërbimesh ofron, na i shpjegoni ato?
Një ndër kompanitë që unë zotëroj quhet Royal York Property Management. Ashtu siç e thotë dhe vetë emri, kompania menaxhon prona në të gjithë zonën jugore të Ontarios në Kanada (përfshirë Toronton, North York, Mississauga, Oshawa, Brampton, Barrie etj – mbi 30 qytete dhe 18 zyra). Çdo shërbim i cili ofrojmë diferencohet nga kompani të tjera. Duke filluar qe nga vendosja e qiradhënësit, proces të cilit i kushtojmë ekstra kohë dhe kujdes, nga marketimi dhe listimi i pronave në websitet më prestigjioze dhe mënyrat më inovatore te reklamimit, në rishikimin e dokumenteve të aplikantëve, shfaqjen e pronave tek aplikantët nëpërmjet agjenteve të trajnuar dhe specializuar në fushën e Real Estate, përgatitja e çdo kontrate dhe dokumentacioni të nevojshëm si dhe mbledhjen e çdo fondi përkatës si muaji i parë i qerase, i fundit, dhe depozita të caktuara që aplikanti vendos ose jo t’i bëjë.
Gjithashtu Royal York menaxhon dhe prona, duke operuar 24/7, 365 ditë të vitit për të mbikëqyrur marrëdhënien e qiradhënësit dhe pronarit të shtëpisë, të gatshëm në çdo moment për të drejtuar çdo komunikim midis të dyja palëve, pa qenë e nevojshme që këta të fundit të flasin me njëri-tjetrin. Shërbimet e menaxhimit të pronës fillojnë nga mirëmbajtja e pronës nëpërmjet punimeve të nevojshme ose jo, raportimin e financave dhe fondeve të fituara nga prona, pagesat e qirasë tek pronari i shtëpisë, çështje ligjore, evaluime të përmuajshme të pronës, dhe shumë shërbime të tjera.
Përmenda më parë se ne gjithashtu paguajmë qiranë tek pronarët e shtëpive. Kjo ndodh duke marrë qiranë nga qiradhënësi dhe depozituar atë në bankën e pronarëve çdo datë 15 të muajit. Nëse klientët tanë zgjedhin dhe shërbimin “Rental Guarantee” (Garancia e qirasë), qiraja depozitohet në bankën e pronarit dhe nëse qiradhënësi nuk e paguan, vetëm për 19 dollarë kanadez në muaj.
-Nëse dikush do që të marrë një shtëpi me qira në Ontario, pse duhet t’ju kontaktojë ju?
Royal York është one-stop-shop. Nuk e di nëse ka një term të njëjtë në shqip, po është si një dyqan ku mund të blesh gjithçka. Nëse je një pronar dhe ke një shtëpi për të dhënë me qira, do të duhet dikush ta menaxhojë. Shanset që një pronar të jetojë afër shtëpisë të dhënë me qira janë shumë të ulëta. Shanset që marrëdhënia midis pronarit dhe qiradhënësit, marrë parasysh çdo rregull dhe detyrim përkatës nga ligjet e Ontarios, të shkojë më së miri, janë gjithashtu të ulëta. Çfarë të duhet? Një kompani që ofron qiradhënës të kualifikuar dhe të punësuar në kompanitë më prestigjioze, me një histori pagesash ekselente, menaxhim i pronës me një kosto minimale dhe garancia e qirasë. Përse mos të na kontaktojnë ne?
-Ju keni një platformë ku janë të regjistruara shërbimet?
Të gjitha shërbimet të cilat ofrohen janë të përmendura në faqen tonë të web-it, www.RoyalYorkPropertyManagement.ca
-Këto janë shërbime që ofrohen vetëm për Kanadanë?
Momentalisht po. Megjithatë momentalisht po punojmë në një projekt i cili ka për qëllim shtrirjen e shërbimeve dhe në Europë.
-Cilat janë lehtësirat e të punuarit në Shqipëri?
Siç mund ta imagjinoni, rrogat në Kanada janë shumë herë më të larta, prandaj patjetër kjo është një ndër lehtësitë, por kur je biznesmen, mendon më larg se aq. Nuk do të qëndroja në Shqipëri nëse arsyeja e vetme do të ishte të kursyerit. Madje, një periudhë vitin e kaluar, kurseja më tepër nëse do ta kisha të gjithë stafin në Kanada, pasi shteti kanadez paguante 80% të rrogës së punonjësve bizneseve të caktuara, por qëndrova në Shqipëri sepse me shqiptarët punoj më lirshëm, janë më të dedikuar dhe nëse i respekton, të respektojnë 100 herë më shumë, këtë e kam vënë re.
Nëse do të flisnim për Shqipërinë në raport me vende të tjera veç Kanadasë, përpos çfarë përmenda më sipër, shqiptarët kanë gjithashtu dhe njohuri shumë të mira të gjuhës angleze. Kjo mbase ndodh sepse informacioni në shqip është i limituar, ndaj ata janë të detyruar të mësojnë një gjuhë tjetër.
-Sa punonjës keni aktualisht dhe a i keni trajnuar ata, për çfarë?
Aktualisht kam mbi 150 punonjës në total, Shqipëri dhe Kanada. I trajnoj në fushën e menaxhimit të pronave në Kanada, ligjet përkatëse, rregullat, njohuri të përgjithshme të kompanisë, fushës së Real Estate dhe veçanërisht shitjet.
Pasioni im më i madh është të shes, prandaj mundohem që në çdo sesion trajnimi të departamentit të shitjeve, të jem personalisht i pranishëm.
-Si jeni ndjerë gjatë kësaj periudhe në Shqipëri dhe cili është qëllimi që keni me kompaninë tuaj në Tiranë?
Jam mjaft i kënaqur, prandaj dhe e kam zgjeruar kompaninë në Shqipëri. Kur e kam marrë zyrën këtu për herë të parë nuk mendoja kurrë se do të mbushej, deri kur në fund të vitit të kaluar mu desh të jepja zyrën time për departamentin e financës. Pak më vonë mora dy zyra të reja, dhe tani prapë më duhet ta jap zyrën time për një departament tjetër. Po rritet më tepër se ç’prisja, dhe për këtë jam shumë mirënjohës.
Qëllimi patjetër është që kompania të rritet me gjithë punonjësit, ashtu dhe siç momentalisht po ndodh. Jam dhe në proces të hapjes së kompanisë në Shqipëri për t’i shërbyer pronarëve dhe qiradhënësve Shqiptar, por për këtë do flasim më gjatë një herë tjetër.
-Çfarë mëson ose përfiton një djalë apo vajzë që punon në kompaninë tuaj?
Sistemi me të cilin ne punojmë duket i ndërlikuar në fillim, por është mjaft i organizuar dhe të mëson shumë dhe për eksperienca të mëvonshme pune. Kam punonjës të cilët shprehen se gjatë orarit të punës nuk ndihen fare si në Shqipëri, sepse realisht merren tërë kohës me Kanadanë, dhe kjo i ndihmon shumë. Kur je në kontakt me një klient kanadez, kontakti duhet të suportohet me njohuri mbi fushën e real estate, menaxhimit të pronave si dhe ligjet dhe rregullat përkatëse. Jam i bindur se nëse një shqiptar që ka të paktën 1 vit që punon në kompaninë time, mund të gjejë një punë mjaft të mirë lehtësisht në Kanada.
-Mendoni ta zgjeroni edhe më tepër kompaninë me punonjës, po në shërbime?
Patjetër. Unë nuk jam asnjëherë i kënaqur me rezultate, të cilat për mua nuk janë kurrë finale dhe gjithmonë kanë nevojë për përmirësim.
-Çfarë keni kuptuar gjatë qëndrimit në Shqipëri?
Se shqiptaret meritojnë një treg më të mirë pune. Kam vënë re se shumë të rinj vendosin të punojnë në kompani ilegale për një rrogë më të lartë, sepse kjo është mundësia e vetme që ata kanë. Këto janë pozicione dhe punë në të cilat ti nuk mëson asgjë, dhe i gjithë mundi dhe dëshira shkon kot, duke harxhuar dhe kohën, e cila është gjëja më e çmuar. Flas pikërisht për kompanitë që ju i quani “Forex”. Çdo punonjës që ka ardhur nga kompani të tillë të punojë për mua ka rezultuar të ketë inteligjencë dhe dhunti të jashtëzakonshme.
-E dini ju që ka shumë të rinj që duan të largohen nga Shqipëria për faktin se nuk gjejnë dot punë, çfarë mendimi keni?
Kam vënë re se shumica largohen pa e provuar tregun e punës dhe kuptuar nëse vërtetë kanë mundësi punësimi ose jo, pasi jam informuar se ata që largohen janë akoma studentë. Një student akoma nuk e di nëse Shqipëria i ofron të tilla mundësi apo jo. Më thuaj sa studentë e dinë se kompania ime ekziston dhe se ofron paga konkurruese dhe mbështetje të degëve dhe pozicioneve të ndryshme.
Unë jam kanadez, jetoj në një zonë shumë të mirë të qytetit te Torontos dhe nuk dua të largohem nga Tirana por më duhet ta bëj prej punës. Shqipëria është e bukur, njerëzit janë të miqësorë dhe mendoj se ka goxha potencial për t’u bërë një vend i zhvilluar.